Njihuni me imunoterapinë e kancerit

Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, nga Egjiptasit e lashtë, të cilët fajësuan hyjnitë e tyre për shfaqjen e kancerit, deri tek Hipokrati, i cili besonte se kanceri shoqërohej me akumulimin e tepërt të bilës së zezë në trup, mjekët kanë kërkuar ta kuptojnë dhe kurojnë këtë sëmundje. Në Romën e lashtë, qasja kirurgjikale ishte e vetmja mundësi në trajtimin e pacientëve me kancer, që mbeti si status quo për gati dymijëvjeçarë. Me zhvillimin e anestezisë në shekullin XIX, kirurgjia përparoi në mënyrë të konsiderueshme, por prapë kishte rezultate shumë modeste, veçanërisht në pacientët me sëmundje metastatike1.

Në të njëjtën kohë, William Coley, një kirurg nga New York-u, krijoi konceptin e imunoterapisë duke mjekuar pacientët me baktere të ndryshme me qëllimin të stimulimit të sistemit të tyre imunitar për të luftuar kancerin. Megjithëse suksesi i kësaj mënyre të trajtimit ishte shumë modest, vetë ideja e imunoterapisë u ruajt gjatë dhe u bë objekt studimi dhe diskutimi midis onkologëve.

Në vitin 1903, pesë vjet pasi Marie Curie zbuloi radiumin, pacientët e parë u trajtuan me sukses me radioterapi. Kjo lloj terapie përdor rrezet e energjisë së lartë për të shkatërruar qelizat e kancerit. Gjatë asaj kohe, terapia e rrezatimit revolucionarizoi onkologjinë dhe përdoret akoma edhe sot. Sidoqoftë, radioterapia ka kufizime të konsiderueshme për shkak të efekteve anësore të rëndësishme që rezultojnë në shkatërrimin e shumë qelizave të shëndetshme, përveç qelizave kancerogjene.

Avancimi tjetër, shumë i rëndësishëm, në onkologji ishte zbulimi i kimioterapisë. Kimioterapia u zhvillua gjatë Luftës së Dytë Botërore kurse në vitin 1956 pacienti i parë u shërua plotësisht nga sëmundja metastatike. Në atë kohë, kimioterapia përfaqësonte përparimin më domethënës në onkologji duke ju ofruar pacientëve shpresën për shërim. Kimioterapia ka përparuar ndjeshëm në 70 vitet e fundit, dhe sot është dukëm më e sofistikuar sesa ishte më parë, por prapëseprapë, parimi themelor i kimioterapisë është i njëjti - shkatërrimi i qelizave që ndahen me shpejtësi. Në këtë mënyrë, qelizat e kancerit shkatërrohen, si dhe shumë qeliza të tjera, normale, në trup, siç janë qelizat e gjakut dhe të palcës së eshtrave. Si pasojë e shkatërrimit të qelizave të bardha të gjakut mund të shfaqen infeksione të rënda.

Një hap i madh në onkologji ka qenë zbulimi dhe zhvillimi i terapive të targetuara – lloje të barnave që parandalojnë rritjen e kancerit duke bllokuar molekulat specifike. Derisa kimioterapia vepron në të gjitha qelizat që ndahen me shpejtësi, qoftë qelizat normale apo qelizat e kancerit, terapia e synuar vepron në molekula specifike të cilat janë karakteristike për kancerin4.

Përparimet e fundit në onkologji janë imunoterapia që vepron në sistemin imunitar. Ne e konsiderojmë sistemin imunitar si një mekanizëm për mbrojtjen e organizmit kundër pushtuesve të huaj – viruseve dhe baktereve.

Me një njohje më të mirë të biologjisë së kancerit, por edhe me një njohuri më të mirë të sistemit imunologjik, u zhvillua imunoterapia kundër kancerit. Këto barna veprojnë në atë mënyrë që ndihmojnë sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë qelizat e kancerit. Imunoterapitë e ndryshme veprojnë në mënyrë të ndryshme - një lloj vepron duke i ndihmuar sistemit imunitar të anashkalojë barrierat që vendosin qelizat e kancerit, ndërsa lloji tjetër vepron duke stimuluar reagimin imunitar.

Imunobiologjia e mikro mjedisit të kancerit është shumë komplekse, por me njohjen e mirë të sekuencës së ngjarjeve, shkencëtarët dhe mjekët mund të përshtatin imunoterapinë për secilin pacient onkologjik individualisht.

Robin Taylor, Zëvendës President, i Imunoterapisë së Kancerit në Roche, shpjegon se nga kemi ardhur dhe ku do të na shpie shkenca, kur bëhet fjalë për trajtimin e pacientëve me kancer:

"Fillimisht, ne e kemi trajtuar kancerin me anë të kimioterapisë e cila helmon gjithçka, duke përfshirë edhe qelizat e shëndetshme që rriten, dhe siç mund të konkludoni, zvogëlon ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve onkologjikë që marrin kimioterapi. Aktualisht, ne jemi në një periudhë shumë emocionuese mbase edhe kyçe të historisë, kur bëhet fjalë për trajtimin e kancerit, sepse më në fund jemi në gjendje të kuptojmë se në ç'mënyrë sistemi imunitar i njeh tumoret. Në fund të fundit, nëse arrijmë në pikën kur ne jo vetëm që mund ta ndihmojmë sistemin imunitar të njohë qelizat e kancerit, por edhe ta ndihmojmë atë t’i sulmojë këto qeliza, duke mundësuar që sistemi imunitar t’i shkatërrojë plotësisht qelizat e kancerit - gjë e cila do të ishte me të vërtetë shumë domethënëse.“

Imunoterapia e kancerit është me të vërtetë një fushë tërheqëse dhe pafundësisht e madhe për hulumtime e cila mund të ndryshojë plotësisht perceptimin e onkologjisë. Zbulimet e reja në nga imunobiologjia dhe mënyra se si të forcohet sistemi imunitar në luftën kundër kancerit, sigurisht që sigurojnë arsye për optimizëm tani dhe në të ardhmen e afërt.

Siç janë duke u rritur njohuritë tona për sistemin imunologjik dhe biologjinë imunitare, ashtu janë duke u rritur edhe shpresat tona të mund të krijojmë një bar i cili me të vërtet do të ndryshojë prognozën e sëmundjes dhe do t'u japë shpresë pacientëve onkologjikë. Duke u bazuar në njohuritë tona deri më tani, ne kemi qenë në gjendje të zhvillojmë imunoterapi që funksionojnë në aspekte specifike të tumoreve. Në të ardhmen, e cila fillon sot, shpresojmë që me anë të kombinimeve të terapive të targetuara dhe imunoterapive të përmirësojnë më tej rezultatin e trajtimit. Mund të themi se imunoterapia është forma më komplekse e terapisë onkologjike deri më tani, por edhe e ardhmja e saj është shumë emocionuese dhe premton shumë.

Referencat

  1. American Cancer Society. The history of cancer.Accessed 25 August 2016

  2. Macmillan. Radiotherapy.Accessed 25 August 2016

  3. American Cancer Society. Evolution of cancer treatments: Chemotherapy.Accessed 25 August 2016

  4. National Cancer Institute. Targeted cancer therapies.Accessed 21 September 2016

Hoffmann-La Roche Ltd. Basel, Representative Office in Albania, Njesia Bashkiake Nr 5, Rruga Ibrahim Rugova, Sky Tower, 5/3, Tel: +355 4 450 40 32 Fax: +355 4 450 40 45

KontaktNë BotëlinkedinfacebooktwitterinstagramyoutubeRreth neshZgjidhjeInovacionHistoriKarrieraPolitikat e privatësisëDeklarata ligjore