Kanceri i mushkërive: lloji më vdekjeprurës i kancerit
 

Çdo vit kanceri i mushkërive merr më shumë jetë sesa kanceri kolorektal, kanceri i gjirit dhe kanceri i prostatës së bashku. Edhe me përparimet e rëndësishme të bëra në këtë fushë, kanceri i mushkërive ende konsiderohet kanceri më vdekjeprurës. "Për dekada të tëra, kanceri i mushkërive ka qenë lloji më i zakonshëm i kancerit dhe është përgjegjës për 1 në 5 vdekje nga kanceri," thotë Dr.Alan Sandler, drejtor mjekësor në Roche. "Kanceri i mushkërive mbetet një nga kanceret më të vështira për t'u trajtuar.”

Prapa kancerit të mushkërive qëndron ndarja e pakontrolluar e qelizave jo normale në mushkëri. Dy format kryesore të kancerit të mushkërive janë kanceri i mushkërive me qeliza jo-të vogla (kanceri jo-mikrocelular, NSCLC) dhe kanceri i mushkërive me qeliza të vogla (kanceri mikrocelular i mushkërive, SCLC). Nga këto dy lloje, NSCLC është më i zakonshëm dhe ndodh në rreth 85% të rasteve. 2

 

Pirja e duhanit nuk është gjithmonë shkaku…

Në mënyrë të pamohueshme është vërtetuar lidhja ndërmjet pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive dhe atë në madje  80% të rasteve të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Sidoqoftë, pirja e duhanit jo gjithmonë duhet të jetë shkaktar, pasi që rreth 270,000 raste të reja të kancerit të mushkërive që ndodhin çdo vit nuk kanë lidhshmëri me pirjen e duhanit. Ndër faktorët e tjerë të rëndësishëm të rrezikut për kancerin e mushkërive janë3:

  • Rrezatimi – Pacientët e trajtuar me radioterapi kanë një rritje të moderuar të rrezikut për zhvillimin e kancerit të mushkërive.
  • Ekspozimi ndaj kancerogjenëve në vendin e punës – punëtorët e punësuar në industri të caktuara mund të jenë të ekspozuar ndaj kancerogjenëve siç janë azbesti dhe gazrat e liruar, të cilat rrisin ndjeshëm rrezikun nga kanceri i mushkërive.
  • Ndotja e ajrit në mjediset urbane – Ekzistojnë prova të qarta që shkalla e shfaqjes së kancerit të mushkërive është dukshëm më e lartë në zonat urbane sesa në zonat rurale, gjë që i atribuohet nivelit më të lartë të ndotjes së ajrit.
  • Ndotja e ajrit në mjedisin shtëpiak – është vërtetuar se gratë që nuk pinë duhan janë më të rrezikuara nga zhvillimi i kancerit të mushkërive në disa pjesë të Azisë për shkak të ventilimit të dobët në shtëpitë që përdorin dru, qymyr ose karburante të tjera të ngurta për ngrohje dhe gatim.
  • Sëmundjet tjera të mushkërive – Njerëzit me tuberkuloz të mushkërive ose sëmundje kronike obstruktive të mushkërive (COPD) janë gjithashtu në rrezik të rritur të zhvillimit të kancerit të mushkërive.

 

Kanceri i mushkërive dhe shkallët e mbijetesës

Fatkeqësisht, më shumë se dy të tretat e pacientëve me kancer të mushkërive nuk diagnostikohen deri në fazën kur tumori tashmë është përhapur në trup - faza metastatike4. "Me gjithë përparimet e kohëve të fundit, mbijetesa pesë-vjeçare e pacientëve me kancer të mushkërive është dukshëm më e vogël se ajo e pacientëve me kancere të tjera, veçanërisht në situatat kur kanceri është tashmë i avancuar", konstaton Dr. Sandler. Ashtu si me shumë lloje të tjera të kancerit, diagnoza e hershme çon në prognozë më të mirë dhe mundësi më të mëdha për një mbijetesë afatgjatë.

Zgjedhja e metodave të trajtimit në masë të madhe varet nga madhësia e masës së tumorit, vendndodhja në mushkëri, lloji i kancerit dhe faza në të cilën diagnostikohet. Gjithashtu gjatë zgjedhjes së një trajtimi, është e rëndësishme nëse kanceri është përhapur në mënyrë metastike në pjesë të tjera të organizmit dhe çfarë është gjendja e përgjithshme e pacientit. Në trajtimin e NSCLC përdoren kryesisht:

  • Kirurgjia – Pacientët e diagnostikuar me NSCLC në një fazë të hershme, kur kanceri ende nuk është përhapur në indet përreth dhe në nyjet limfatike, mund të shërohen me largimin kirurgjik të kancerit dhe indeve përreth.
  • Radioterapia – Për pacientët, kanceri i të cilëve nuk mund të hiqet me anë të operacionit, radioterapia, vetëm ose në kombinim me kimioterapi, mund të çojë në një ulje të masës së tumorit.
  • Kemioterapia – përdoret për të trajtuar pacientët me kancer të përparuar të mushkërive (shumica e rasteve diagnostikohen në këtë fazë4). Në këtë fazë, kanceri tashmë është përhapur në mënyrë metastike në pjesë të tjera të trupit dhe nuk mund të hiqet me anë të trajtimit kirurgjik.
  • Terapitë e targetuara – përparimet në fushën e diagnostikës molekulare kanë bërë të mundur zhvillimin dhe përdorimin e të ashtuquajturave barna të targetuara - barna që lidhen me proteinat specifike të cilat gjenden në qelizat e kancerit dhe shkatërrojnë ose bllokojnë shumimin e tyre të mëtejshëm.

 

Vazhdimi i luftës kundër kancerit të mushkërive

Kanceri i mushkërive mbetet një sfidë e madhe si për mjekët ashtu edhe për hulumtuesit. Është e qartë se ekziston një nevojë e konsiderueshme për opsione më të reja, më efektive dhe më të sigurta të trajtimit. Zhvillimi i imunoterapisë së kancerit, një koncept plotësisht i ri në onkologji, po u jep shpresë pacientëve dhe familjeve të tyre. "Në Roche, ne bëjmë çmos t'i përgjigjen nevojave të pacientëve me kancer të mushkërive," thekson Dr. Sandler.

 

Referencat

1. Ferlay J, et al., GLOBOCAN 2012 v1.0, Cancer Incidence and Mortality Worldwide [document on the Internet]. International Agency for Research on Cancer; 2013 [cited 2016 Nov 21]. Available from: http://globocan.iarc.fr/Pages/fact_sheets_cancer.aspx

2. Barzi A, Pennell NA. Targeting angiogenesis in non-small cell lung cancer: agents in practice and clinical developmentEurop Journ Clin Med Onc. 2010 [cited 2016 Nov 21];2(1): 31–42.

3. World Health Organization. World Cancer Report 2008 [document on the internet]. Lyon; 2008; [cited 2016 Nov 21]. Available from: http://www.iarc.fr/en/publications/pdfs-online/wcr/2008/wcr_2008.pdf [Calculation: 960,000 (new cases per year in men) + 390,000 (new cases per year in women) = 1,350,000 (new cases per year) / 1,350,000/100 = 13,500 (1% of cases diagnosed each year) / 13,500 * 20 = 270,000 (new cases per year not linked to smoking)]

4. National Cancer Institute. SEER Stat Fact Sheets: Lung and Bronchus Cancer [document on the internet]. NCI online; 2016; [cited 2016 Nov 21]. Available from: http://seer.cancer.gov/statfacts/html/lungb.html