Simptomat e kancerit të gjirit

Për shumë njerëz, shenja e parë e kancerit të gjirit është shfaqja e një kokrre (gunge) në gji. Mirëpo, simptomat e kancerit të gjirit janë të ndryshme - nga kokrra deri tek simptomat më pak të dukshme, siç janë ndryshimet në lëkurë. Nëse zbuloni ndonjë nga këto simptoma, nuk do të thotë automatikisht që keni kancer të gjirit, por është absolutisht thelbësore të vizitoni një mjek sa më shpejt të jetë e mundur.

Kanceri i gjirit duhet të identifikohet dhe trajtohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Për pacientët me kancer të hershëm të gjirit kjo mund të ofrojë mundësinë më të mirë të shërimit ndërsa pacientëve, sëmundja e të cilëve është përhapur në organe të tjera do t’ ju mundësojë trajtimin e personalizuar, i cili do të sigurojë rezultatin më të mirë të mundshëm të mjekimit. Njihuni me simptomat e kancerit të gjirit dhe veproni menjëherë.

Ndryshimet në teksturën e lëkurës në ose rreth gjirit: rrudhosja e lëkurës

Rrudhosja (tërheqja) e lëkurës mund të tregojë praninë e një kokrre (gunge) brenda gjirit, gjë që shkakton shkurtimin e ligamenteve (indeve fibroze) në gji, duke shkaktuar tërheqjen e indeve dhe të lëkurës nga brenda dhe duke bërë që lëkura të duket e rrudhosur dhe konkave.

Ndryshimet në teksturën e lëkurës në ose rreth gjirit: formimi i gropëzave në lëkurë

Formimi i gropëzave në lëkurë mund të tregojë që kanalet e vogla limfatike brenda gjirit janë të bllokuara. Kjo shkakton inflamacionin dhe ënjten e gjirit ndërsa lëkura merr formën e një lëvoreje të portokallit. Në disa raste, kjo është një shenjë e pranisë së një forme të veçantë të kancerit të gjirit të njohur si kancer inflamator i gjirit.

Trashja e indit të gjirit

Kjo mund të tregojë për praninë e një gunge (kokrre) brenda gjëndrave të qumështit ose kanaleve limfatike në gji.

Shfaqja e erupsioneve lëkurore (ang. rash) ose përskuqja në thithkë ose në zonën përreth saj

Ky është një simptomë shumë e rrallë e kancerit të gjirit. Në një numër të vogël të rasteve, kjo simptomë shoqërohet me shfaqjen e një lloji të veçantë të kancerit të gjirit të njohur si sëmundja Paget e gjirit.

Sekretimi i një rrjedhjeje të pazakontë (siç është gjaku ose qelbi) nga thithka pa u shtrydhur.

Kjo mund të sugjerojë praninë e qelizave të kancerit brenda kanaleve të qumështit pas thithkës.

Ndryshimet në thithkë të tilla si tërheqja e thithkës ose ndryshim i formës së saj

Nëse vjen deri te tërheqja (invertimi) e thithkës (përveç nëse keni lindur me thithka të tërhequra) kjo mund të tregojë që ka një kokërr (gungë) pas thithkës e cila shtrëngon indin dhe shkakton tërheqjen e thithkës.

Venat e dukshme në gji

Kjo mund të tregojë për praninë e një gunge (kokrre) e cila shtyp enën e gjakut dhe shkakton një bllokim të saj ose rritjen e furnizimit të gjirit me gjak, e cila mund të jetë një shenjë e rritjes së tumorit.

Ënjtje në sqetull

Kjo mund të jetë një shenjë që tumori është përhapur në nyjet limfatike nën sqetull. Ndonjëherë është më e lehtë të ndjeni një gungë (kokërr) nën sqetull sesa në gji.

Vetë-ekzaminimi i gjirit

Kontrolloni rregullisht gjinjtë tuaj. Njihuni me simptomat e kancerit të gjirit. Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse vëreni ndonjë gjë të pazakontë. Diagnoza dhe trajtimi i kancerit të gjirit para se të përhapet ju jep mundësinë më të mirë të shërimit.

Ju mund të ekzaminoni gjinjtë tuaj në çdo mënyrë, por gjëja më e rëndësishme është t'i kushtoni vëmendje pikave si vijon::

  •  Pamja e lëkurës:

    Lëvorja e portokallit, venat e dukshme, tërheqja e lëkurës

  •  Ndryshimet e thithkave:

    Erupsione (rash), skuqje rreth thithkës, tërheqje e thithkës

  •  Trashje e indeve:

    Gunga (kokrra) në gji ose nën sqetull, trashje e indit të gjirit

Zbulo më shumë

Hoffmann-La Roche Ltd. Basel, Representative Office in Albania, Njesia Bashkiake Nr 5, Rruga Ibrahim Rugova, Sky Tower, 5/3, Tel: +355 4 450 40 32 Fax: +355 4 450 40 45

KontaktNë BotëlinkedinfacebooktwitterinstagramyoutubeRreth neshZgjidhjeInovacionHistoriKarrieraPolitikat e privatësisëDeklarata ligjore