Mjekësia e personalizuar pranon që çdo pacient me kancer është unik

Përparimet në trajtimin e kancerit: nga dinosaurët në diagnozë

Kanceri nuk është një sëmundje por një gjendje komplekse dhe deri më tani janë identifikuar më shumë se 250 lloje të sëmundjeve malinje.

Edhe dinozaurët kishin kancer

Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar tumore në kockat e dinozaurëve të vjetër rreth 70 milionë vjet, megjithëse përshkrimi i parë i kancerit u shfaq pak më vonë në vitin 3000 p.e.s., në Egjiptin e Lashtë. Shkrimi vuri në dukje, "Nuk ka trajtim."

Kanceri dikur mendohej se ishte ngjitës

Në vitin 1649, Zacutus Lusitani, në Holandë, propozoi që pacientët me kancer të izolohen nga njerëzit e tjerë në mënyrë që sëmundja të mos përhapet. Sot ne e dimë që kanceri nuk mund të bartet te një person tjetër, por ekzistojnë infeksione kronike virale, bakteriale dhe parazitare që mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së kancerit.

Kirurgjia u bë e disponueshme në trajtimin e kancerit në shekullin e 18-të

Procedurat e para kirurgjikale u kryen pa anestezi dhe kryesisht çuan në deformime të mëdha. Sot, pacientët me lloje të ndryshme të kancerit mund të trajtohen me metoda kirurgjikale minimale invazive si ato laparoskopike, ku tumori hiqet përmes hapjeve të vogla në lëkurë, me anestezi.

A e dini se cili opsion i rëndësishëm terapeutik u zbulua në Luftën e Parë Botërore?

Kimioterapia moderne kishte origjinën në fushat e betejës së Luftës së Parë Botërore. Shkencëtarët të cilët hulumtonin shkakun e vdekjes së ushtarëve të ekspozuar ndaj iperitit sulfurik zbuluan se atyre u ishte zvogëluar numri i qelizave imunitare dhe vendosën hipotezën se nëse iperiti mund të shkatërrojë qelizat e bardha të shëndetshme të gjakut, ai gjithashtu mund të shkatërrojë qelizat e limfomës. Eksperimentet e mëtejshme konfirmuan këtë teori dhe kështu lindi kimioterapia. Kimioterapia moderne mund ta përmirësojë ndjeshëm mbijetesën, ta përmirësojë në mënyrë drastike cilësinë e jetës dhe madje të çojë në shërimin e disa llojeve të kancerit.

Zbulimi i kancerit në fazën e hershme rrit ndjeshëm mundësitë e mbijetesës

Për shembull, 99% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga papillomavirusi human (HPV). Falë teknikave moderne të diagnostikimit, tek gratë tani mund të zbulohet prania e infeksionit me HPV. Kur zbulohet dhe mjekohet në fazën më të hershme, kanceri i qafës së mitrës mund të shërohet në mbi 93% të rasteve.

80% e karcinomave në vendet e varfra zbulohen në një fazë të vonuar, kur opsioni i vetëm është lehtësimi i simptomave

Përkundër përparimeve të mëdha në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, inovacionet mjekësore dhe kujdesi cilësor shëndetësor nuk janë njësoj të disponueshme për të gjithë njerëzit në botë.

Mbipesha po bëhet shkaktar kryesor i parandalueshëm i kancerit, para konsumimit të duhanit

Mbipesha po bëhet një sfidë globale shëndetësore në rritje. Jo vetëm që mbipesha shoqërohet me shfaqjen e kancerit, por shoqërohet gjithashtu edhe me përsëritjen e sëmundjes dhe shkallën e vdekshmërisë.

Qelizat tuaja imune mund të ndihmojnë në luftimin e kancerit

Kuptimi modern i biologjisë së kancerit ka çuar në zhvillimin e barnave që mobilizojnë sistemin imunitar të njeriut - qoftë duke stimuluar sistemin imunitar të sulmojë qelizat e kancerit, ose duke forcuar përbërësit e caktuar të sistemit imunitar të cilët më pas pengojnë rritjen dhe mbijetesën e qelizave të tumorit. Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen ne do të jemi në gjendje ta kurojmë kancerin duke arritur një ekuilibër midis sëmundjes malinje dhe sistemit imunitar.

Gjithnjë e më shumë njerëz po arrijnë të mposhtin kancerin

Sot, 7 në 10 fëmijë shërohen nga kanceri! Sëmundjet malinje tek fëmijët i përgjigjen shumë mirë kimioterapisë sepse kryesisht kemi të bëjmë me forma të kancerit që përparojnë me shpejtësi ku kimioterapia ka efekt të shkëlqyeshëm. Organizmi i fëmijës gjithashtu rikuperohet më lehtë nga dozat e larta të barit sesa trupi i një personi të rritur. Dy prej tre personave sot jetojnë të paktën pesë vjet pasi të jenë diagnostikuar me një sëmundje malinje. Vetëm në 10 vitet e fundit, shkalla e reagimit ndaj terapisë pothuajse është dyfishuar.

Mjekësia e personalizuar pranon që çdo pacient me kancer është unik

Në të kaluarën, të gjithë pacientët me një lloj të veçantë të kancerit trajtoheshin në të njëjtën mënyrë. Kjo qasje ndaj trajtimit ishte në dobi të disa pacientëve, ndërsa në të tjerët ishte joefikase ose shkaktonte efekte të rënda anësore. Me ndihmën e testeve të sakta diagnostike, mjekët sot mund të vlerësojnë se si një pacient do t'i përgjigjet terapisë. Këto teste gjithashtu lejojnë mjekët të përcaktojnë dozën më të mirë dhe kohëzgjatjen më të përshtatshme të trajtimit. Mjekësia e personalizuar ka çuar tashmë në opsione terapeutike të targetuara më efikase, në trajtimin e disa nënllojeve të kancerit të gjirit, mushkërive, lëkurës dhe gjakut.

Published undefined

Zbulo më shumë

please be aware that you are leaving this website.