Ne po ndryshojmë rregullat e imunoterapisë

Me anë të ekzaminimit mikroskopik të ekspresionit të biomarkerit PD-L1 në qelizat e kancerit dhe në qelizat imunitare, mjekët mund të sigurojnë informacione shumë të vlefshme në lidhje me mënyrën se si një pacient do t'i përgjigjet terapive që shfrytëzojnë sistemin imunitar për të luftuar kancerin.

"Përparimet e fundit në imunoterapi po ndryshojnë plotësisht rregullat për trajtimin e pacientëve onkologjikë, kurse ne sapo kemi filluar", shpjegon Dr. Eslie Dennis, nënkryetare e departamentit mjekësor në Roche Diagnostika e Indeve dhe specialiste e mjekësisë interne dhe onkologjisë me mbi 10 vjet përvojë klinike.

Janë duke u zhvilluar teste të reja diagnostike me qëllim të përcjelljes së një valë të re të barnave onkologjike që stimulojnë sistemin imunitar të sulmojë dhe shkatërrojë qelizat e kancerit.

Sistemi imunitar i organizmit përdor një ushtri të tërë qelizash të bardha të ndryshme të gjakut për të luftuar jo vetëm bakteret, viruset dhe kërpudhat, por edhe kundër qelizave të kancerit. Pas sulmit, organizmi çaktivizon qelizat T – të cilat janë efektorë të fuqishëm të sistemit imunitar - me ndihmën e një proteine të quajtur PD-L1.

Ky çaktivizim ka një rol mbrojtës. Pa të, sistemi imunitar mund të fillojë të shkatërrojë indet dhe qelizat e shëndetshme. Mirëpo, disa qeliza të kancerit mund të përdorin pikërisht proteinën PD-L1 për të shmangur dhe frenuar përgjigjen e sistemit imunitar, në thelb për t’u kamufluar me "mantelin e padukshmërisë”1

Imunoterapia funksionon duke bllokuar "sinjalin e shkyçjes" të emetuar nga PD-L1, që i mundëson sistemit imunologjik të vazhdojë të njohë dhe shkatërrojë qelizat malinje.

Testet diagnostikuese mund të zbulojnë ekspresionin e PD-L1 në mostrat e indeve tumorale, gjë që ndihmon mjekët të përdorin imunoterapinë në mënyrë sa më efikase. Laboratorët përdorin një teknikë të veçantë - imunohistokiminë - që zbulon dhe shfaq vizualisht proteinat specifike gjë që ndihmon jo vetëm për të diagnostikuar kancerin, por edhe për të zbuluar ekspresionin e rritur të proteinave të caktuara. Kjo teknologji mund të tregojë nëse ka një ekspresion të rritur të proteinës PD-L1 në qelizat e kancerit, qelizat imune që e rrethojnë atë, apo edhe në të dy llojet e qelizave në një pacient të caktuar onkologjik.2

Për të zbuluar biomarkët PD-L1, mostrat e indeve (indet e kancerit dhe indet përreth) mblidhen me anë të biopsisë ose gjatë procedurave kirurgjikale. Mostrat e marra dërgohen në diagnostikimin histopatologjik, ku mostrat janë priten në blloqe shumë të holla të cilat vendosen më pas në pllaka xhami. Antitrupat që lidhen me PD-L1 aplikohen në mostër dhe prania e PD-L1, në sistemet diagnostikuese, paraqitet si një gjyrë kafe. "Përcaktimi i përqindjes së qelizave kancerogjene dhe qelizave imunitare që kanë ekspresion të PD-L1, si dhe shpërndarja e proteinës PD-L1 në një mostër indesh, mund t'u ndihmojë mjekëve të parashikojnë efikasitetin potencial të imunoterapisë", shpjegon Dr. Ehab ElGabry, Shefi i Departamentit të Patologjisë në Roche Diagnostics. Këto rezultate u mundësojnë mjekëve të marrin vendime cilësore për pacientët e tyre.

"Si onkolog, unë e di se sa e rëndësishme është që pacientët të marrin trajtimin e duhur sa më shpejt të jetë e mundur," thotë Eslie.

Ndryshimi i fokusit në onkologji ka çuar në zhvillimin e dy testeve plotësisht të reja, të cilat vlerësojnë ekspresionin e proteinës PD-L1 në qelizat e kancerit dhe qelizat imunitare. Agjencitë rregullatore në vende të ndryshme tashmë kanë miratuar këto teste për disa lloje specifike të kancerit të fshikëzës dhe mushkërive, kurse Roche është duke shqyrtuar aplikimin e këtyre testeve në mbi 20 indikacione të ndryshme onkologjike.

Teknologjitë dhe testet inovative ndihmojnë onkologët të kuptojnë më mirë rolin e sistemit imunitar në luftën kundër kancerit. Këtu hyjnë edhe testet që lejojnë zbulimin e njëkohshëm të biomarkerëve të shumtë dhe të ndryshëm, në të njëjtin preparat mikroskopik. Duke përdorur teknologjinë “multiplexing”, këto teste mund të tregojnë ndërveprimin e organizmit dhe kancerit në nivelin qelizor.

"Qëllimi është të zbulojmë sa më lehtë dhe me besueshmëri më të madhe më shumë biomarkerë në një preparat të vetëm. Kjo do të mundësojë kuptimin më të mirë të mikro-mjedisit të kancerit dhe do të lehtësojë zbulimin e atyre biomarkerëve që janë me të vërtetë thelbësor për përgjigjen imunitare ndaj qelizave të kancerit", thotë Lidija Pestic-Dragovich, drejtoreshë e lartë në Roche Pharma Alliance & Pharma Services.

Lidija shton, "Kur kombinojmë teknologjinë multiplex me algoritmat e sofistikuara të softuerit, do të fitojmë një njohje më të mirë të biologjisë së kancerit. Është pikërisht kjo njohje që do t’i ndihmojë mjekët të zgjedhin trajtimin më të mirë të mundshëm për secilin pacient individualisht. Për këtë arsye, teknologjitë multiplex janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e diagnostikës onkologjike."

Kjo do të thotë që pacientët dhe mjekët do të kenë armë të reja, të fuqishme në luftën kundër kancerit, si në laboratorë ashtu edhe në vetë organizmat e pacientëve. Me përparimet e reja në fushën e diagnostikës, po hapet një kapitull i ri në imunoterapinë e kancerit.

Referencat

  1. Chen DS, et al. Clin Cancer Res. 2012. 18:6580-6587

  2. Rosenberg JE, Hoffman-Censits J, Powles T, et al. Atezolizumab in patients with locally advanced and metastatic urothelial carcinoma who have progressed following treatment with platinum-based chemotherapy: a single-arm, multicentre, phase 2 trial. Lancet 2016; 387:1909-1920.

  3. Herbst RS, et al. Nature. 2014. 515:563-567

Hoffmann-La Roche Ltd. Basel, Representative Office in Albania, Njesia Bashkiake Nr 5, Rruga Ibrahim Rugova, Sky Tower, 5/3, Tel: +355 4 450 40 32 Fax: +355 4 450 40 45

KontaktNë BotëlinkedinfacebooktwitterinstagramyoutubeRreth neshZgjidhjeInovacionHistoriKarrieraPolitikat e privatësisëDeklarata ligjore