Diagnoza e kancerit të mushkërive

Për të përcaktuar një diagnozë adekuate, mjekët duhet t'u përgjigjen pyetjeve të tilla si: Ku saktësisht ndodhet masa e tumorit? Për çfarë lloj kanceri bëhet fjalë? Sa ka përparuar sëmundja? Mjekët marrin përgjigje për këto pyetje pas një vlerësimi diagnostikues, në dukje të komplikuar, por të nevojshëm të pacientit.

Fillimi i çdo vlerësimi diagnostik është një bisedë midis mjekut dhe pacientit. Këtu, mjeku mund të fitojë një pasqyrë më të mirë për historisë mjekësore të pacientit, praninë eventuale të sëmundjeve të tjera, praninë së sëmundjeve të ngjashme në familje, dhe përveç gjendjes shëndetësore- gjendjen e përgjithshme socio-ekonomike të pacientit. Mjeku mund të pyesë nëse pacienti vuan nga diabeti, nëse ka probleme me zemrën, cilat janë shprehitë jetësore të pacientit, nëse ai është i ekspozuar ndaj kancerogjenëve të mundshëm në vendin e punës, dhe nëse ai / ajo pi cigare. Pas bisedës dhe marrjes së anamnezës, ndiqet një ekzaminim i hollësishëm fizik, i cili i jep mjekut një pasqyrë edhe më të mirë për gjendjen e pacientit.

Në përgjithësi, diagnoza e saktë mund të bëhet vetëm në bazë të mostrave të indeve të marra nga bronkoskopia ose biopsia me anë të gjilpërës së hollë (ang. fine needle aspiration, FNA). Me anë të ekzaminimit histopatologjik të mostrave të marra përcaktohet lloji i saktë i kancerit dhe nëse bëhet fjalë për një ndryshim beninj ose malinj. Ekzaminime të tjera imazherike dhe laboratorike janë gjithashtu të domosdoshme në mënyrë që mjeku të marrë njohuri të plotë për sëmundjen e pacientit dhe të zgjedh terapinë adekuate.

Gjatë një ekzaminimi bronkoskopik, mjeku depërton me bronkoskop (një tub elastik i trashësisë së lapsit) përmes hundës ose gojës në laring, trake, dhe në fund në bronke me madhësi të madhe dhe mesatare. Qëllimi i bronkoskopisë është marrja e mostrave të indeve nga një vend ku supozohet se ndodhet kanceri. Gjatë ekzaminimit, pacienti është në pozicionin e shtrirë. Para ekzaminimit, pacienti merr anestezion lokal ose të përgjithshëm në varësi të vlerësimit të mjekut.

Një nga metodat e cila po aplikohet çdo ditë e më shumë është ultratingulli endobronkial. Kjo metodë kombinon bronkoskopinë dhe ekzaminimin me ultratinguj. Mjeku, me të njëjtën metodë, vendos një bronkoskop të veçantë me një sondë për ultratinguj. Në këtë mënyrë, mjeku mund të ekzaminojë gjithashtu edhe nyjet limfatike tek të cilat nuk mund të arrijë ndryshe.

Biopsia me anë të gjilpërës së hollë është një procedurë me ndihmën e të cilës mjeku merr qelizat nga mushkëritë, të cilat pastaj i ekzaminon me mikroskop. Për të arritur deri tek qelizat, është e nevojshme që mjeku me gjilpërë të depërtojë nëpër murin e kafazit të kraharorit deri tek ndryshim i dyshimtë. Pas kësaj, me anë të vakumit thithet indi i cili përdoret nga mjekët për ekzaminime mikroskopike. Para fillimit të procedurës, pacientit i jepet anestezi lokale në vendin e futjes së gjilpërës. Me ndihmën e CT-së mjekët kontrollojnë rrugën e gjilpërës.

Bronkoskopia e ndihmuar nga biopsia jep rezultate më të sakta dhe siguron më shumë inde për analiza sesa FNA dhe rrjedhimisht preferohet të realizohet sa herë që është e mundur.

Shpesh, ekzaminimi i parë imazherik që bën një pacient i dyshuar për kancer të mushkërive. Duke përdorur rrezet X, mjeku "fotografon" gjoksin e pacientit. Ekzaminimet e RTG në përgjithësi bëhen në dy pozicione (nga ana e përparme dhe nga anash) për të fituar një imazh tre-dimensional. Sipas nevojes mund të bëhen më shumë incizime nga kënde të ndryshme. Nga skanimi me RTG, mjeku mund të përcaktojë vendndodhjen e ndryshimit tumoral dhe të vlerësojë gjendjen e përgjithshme të mushkërive.

Edhe pse nuk përdoret shumë shpesh në ekzaminimin e mushkërive, ultratingulli mund të ndihmojë mjekët të përcaktojnë vendndodhjen dhe madhësinë e tumorit dhe nëse tumori është përhapur në nyjet limfatike në afërsi. Ekzaminimi me ultratinguj funksionon në atë mënyrë që një sondë me ultratinguj emeton valë të ultratingullit në trup. Këto valë absorbohen ose reflektohen në shkallë të ndryshme. Valët që reflektohen dhe kthehen në sondë detektohen nga ana e kompjuterit dhe shndërrohen në një imazh të indit të caktuar, i cili prezantohet në monitor.

CT është një kërkim imazhi që përdor rrezet X për të prodhuar një numër të madh të imazheve që më vonë konvertohen nga kompjuterët në një regjistrim (incizim) tre-dimensional të regjionit të targetuar. Me ndihmën e CT, mjekët mund të përcaktojnë me saktësi madhësinë dhe vendndodhjen e masës së tumorit. Në pamjet e regjistruara mund të vërehet nëse kanceri është përhapur në indet përreth dhe nëse ka metastazuar në organet e largëta. Gjatë ekzaminimit, pacienti është në pozicionin shtrirë dhe futet brenda një tubi i cili përmban burimin e rrezeve X dhe detektorin. Bazuar në të dhënat e fituara në detektor, kompjuterët bëjnë një rikonstruktim tre-dimensional të pjesës së incizuar (regjistruar) të trupit.

MRI është një teknikë që përdor fusha të forta magnetike për të krijuar imazhe tre-dimensionale të trupit. Në rastin e kancerit të mushkërive, MRI përdoret për të identifikuar depozitat metastatike në tru. Procedura e ekzaminimit është e ngjashme me atë në CT, vetëm që zgjat më shumë. Pacienti është në një pozicion të shtrirë dhe futet brenda një tubi në të cilin gjenden magnetet dhe i cili në krahasim me CT-në është më i gjatë. Ekipet e mjekëve përdorin MRI-në para procedurave operative për të dalluar në detaje masën e tumorit nga indet e shëndetshme (p.sh., perikardi, kanali kurrizor, enët e gjakut). Në krahasim me metodat tjera imazherike MRI mund të detektojë ndryshimet në të gjitha organet në mënyrë më të detajuar dhe me cilësi më të lartë, përveç kur bëhet fjalë për indet me nivele të ulëta të ujit (kockat) ose indet e mbushura me ajër (mushkëritë).

PET është një metodë imazherie për zbulimin e tumoreve dhe metastazave. Metoda bazohet në faktin se indet e tumorit kanë nevoja të konsiderueshme më të mëdha për energji dhe rrjedhimisht marrin sasi të mëdha të karbohidrateve nga organizmi. Pacientët marrin një dozë të karbohidrateve e cila është shenjuar me radionuklide, të cilët emetojnë sasi shumë të vogla rrezatimi. Indet tumorale marrin sasi të mëdha të karbohidrateve dhe kjo shkakton një rritje të akumulimit të radionukleideve në tumor, gjë që mjekët mund ta shohin më vonë në grafi. Gjatë ekzaminimit, pacienti është në një pozicionin shtrirë dhe kalon ngadalë përmes detektorit në formë unaze. PET përfshin incizimin e tërë trupit. Kompjuterët bëjnë rikonstruktimin e imazhit dhe paraqesin indet e tumorit me ngjyrë të ndryshme në raport me indet e shëndetshme përreth.

Sintigrafia skeletore përdoret kur ekziston dyshimi për përhapjen metastatike të kancerit të kockave. Kjo procedurë përfshin injektimin në venë të substancave që janë shenjuar me molekula radioaktive. Këto substanca përthithen në kocka, por më së shumti aty ku metabolizmi është më aktiv - në qelizat e kancerit. Sintigrami, regjistrimi që përfitohet nga sintigrafia, u jep mjekëve një pasqyrë për përhapjen e një substance radioaktive nga e cila ata mund të nxjerrin përfundime në lidhje me praninë e mundshme të ndryshimeve metastatike në kocka.

Testet laboratorike janë një hap i domosdoshëm në vlerësimin diagnostik të ndonjë sëmundjeje, përfshirë kancerin e mushkërive. Në këtë mënyrë, mjekët mund të fitojnë njohuri jo vetëm të sëmundjes së pacientit, por edhe të gjendjes së përgjithshme të organizmit dhe në përputhje me këtë planifikojnë mjekimin dhe kujdesin e pacientit.

Kur bëhet fjalë për kancerin e mushkërive, ekzaminimi i sputumit (këlbazës) mund të ketë vlerë të madhe për mjekët, sepse mund të konfirmojë praninë e kancerit në mushkëri. Sputumi përmban qeliza që janë shkëputur nga sipërfaqja e bronkeve dhe pjesëve të tjera të mushkërive. Kur kanceri i mushkërive është i pranishëm edhe qelizat e tij mund të shfaqen në sputum. Për të përcaktuar diagnozën, është e nevojshme të analizohen në laborator mostrat e sputumit të marra në të paktën tre ditë të ndara.

Në gjakun e pacientëve me kancer mund të gjenden molekula specifike që prodhojnë qelizat kanceroze ose qelizat e shëndetshme si përgjigje ndaj pranisë së kancerit. Nëpërmjet testimit të gjakut të këtyre pacientëve, mjekët mund të përcaktojnë përqendrimin e molekulave specifike / markuesve tumoralë. Prania e markuesve tumoralë në gjak, për fat të keq, nuk mund të sigurojë informacione për llojin dhe vendndodhjen e tumoreve. Një problem tjetër i markuesve tumoralë është fakti që markuesit tumoralë mund të jenë të rritur edhe gjatë infeksioneve të parrezikshme, kështu që ato nuk mund të përdoren për detektimin e hershëm të kancerit.

Mjekët përdorin tumor markerët, kryesisht për të monitoruar kursin e sëmundjes dhe suksesin e terapisë. Nëse gjatë terapisë ka një rënie të tumor markerëve, kjo zakonisht është shenjë e veprimit pozitiv të terapisë.

Megjithatë, mungesa e tumor markerëve pas trajtimit nuk garanton që nuk mund të ndodhë ndonjë rikthim i sëmundjes dhe jo të gjithë tumoret prodhojnë tumor markerë. Kur bëhet fjalë për NSCLC, tumor markerët nuk kanë asnjë rëndësi në diagnostikimin dhe monitorimin e trajtimit. 

Çdo vit kanceri i mushkërive merr më shumë jetë sesa kanceri kolorektal, kanceri i gjirit dhe kanceri i prostatës së bashku. Edhe me përparimet e rëndësishme të bëra në këtë fushë, kanceri i mushkërive ende konsiderohet kanceri më vdekjeprurës. "Për dekada të tëra, kanceri i mushkërive ka qenë lloji më i zakonshëm i kancerit dhe është përgjegjës për 1 në 5 vdekje nga kanceri," thotë Dr.Alan Sandler, drejtor mjekësor në Roche. "Kanceri i mushkërive mbetet një nga kanceret më të vështira për t'u trajtuar.”

Prapa kancerit të mushkërive qëndron ndarja e pakontrolluar e qelizave jo normale në mushkëri. Dy format kryesore të kancerit të mushkërive janë kanceri i mushkërive me qeliza jo-të vogla (kanceri jo-mikrocelular, NSCLC) dhe kanceri i mushkërive me qeliza të vogla (kanceri mikrocelular i mushkërive, SCLC). Nga këto dy lloje, NSCLC është më i zakonshëm dhe ndodh në rreth 85% të rasteve. 2

Në mënyrë të pamohueshme është vërtetuar lidhja ndërmjet pirjes së duhanit dhe kancerit të mushkërive dhe atë në madje  80% të rasteve të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Sidoqoftë, pirja e duhanit jo gjithmonë duhet të jetë shkaktar, pasi që rreth 270,000 raste të reja të kancerit të mushkërive që ndodhin çdo vit nuk kanë lidhshmëri me pirjen e duhanit. Ndër faktorët e tjerë të rëndësishëm të rrezikut për kancerin e mushkërive janë3:

  • Rrezatimi – Pacientët e trajtuar me radioterapi kanë një rritje të moderuar të rrezikut për zhvillimin e kancerit të mushkërive.

  • Ekspozimi ndaj kancerogjenëve në vendin e punës – punëtorët e punësuar në industri të caktuara mund të jenë të ekspozuar ndaj kancerogjenëve siç janë azbesti dhe gazrat e liruar, të cilat rrisin ndjeshëm rrezikun nga kanceri i mushkërive.

  • Ndotja e ajrit në mjediset urbane – Ekzistojnë prova të qarta që shkalla e shfaqjes së kancerit të mushkërive është dukshëm më e lartë në zonat urbane sesa në zonat rurale, gjë që i atribuohet nivelit më të lartë të ndotjes së ajrit.

  • Ndotja e ajrit në mjedisin shtëpiak – është vërtetuar se gratë që nuk pinë duhan janë më të rrezikuara nga zhvillimi i kancerit të mushkërive në disa pjesë të Azisë për shkak të ventilimit të dobët në shtëpitë që përdorin dru, qymyr ose karburante të tjera të ngurta për ngrohje dhe gatim.

  • Sëmundjet tjera të mushkërive – Njerëzit me tuberkuloz të mushkërive ose sëmundje kronike obstruktive të mushkërive (COPD) janë gjithashtu në rrezik të rritur të zhvillimit të kancerit të mushkërive.

Fatkeqësisht, më shumë se dy të tretat e pacientëve me kancer të mushkërive nuk diagnostikohen deri në fazën kur tumori tashmë është përhapur në trup - faza metastatike4. "Me gjithë përparimet e kohëve të fundit, mbijetesa pesë-vjeçare e pacientëve me kancer të mushkërive është dukshëm më e vogël se ajo e pacientëve me kancere të tjera, veçanërisht në situatat kur kanceri është tashmë i avancuar", konstaton Dr. Sandler. Ashtu si me shumë lloje të tjera të kancerit, diagnoza e hershme çon në prognozë më të mirë dhe mundësi më të mëdha për një mbijetesë afatgjatë.

Zgjedhja e metodave të trajtimit në masë të madhe varet nga madhësia e masës së tumorit, vendndodhja në mushkëri, lloji i kancerit dhe faza në të cilën diagnostikohet. Gjithashtu gjatë zgjedhjes së një trajtimi, është e rëndësishme nëse kanceri është përhapur në mënyrë metastike në pjesë të tjera të organizmit dhe çfarë është gjendja e përgjithshme e pacientit. Në trajtimin e NSCLC përdoren kryesisht:

  • Kirurgjia – Pacientët e diagnostikuar me NSCLC në një fazë të hershme, kur kanceri ende nuk është përhapur në indet përreth dhe në nyjet limfatike, mund të shërohen me largimin kirurgjik të kancerit dhe indeve përreth.

  • Radioterapia – Për pacientët, kanceri i të cilëve nuk mund të hiqet me anë të operacionit, radioterapia, vetëm ose në kombinim me kimioterapi, mund të çojë në një ulje të masës së tumorit.

  • Kemioterapia – përdoret për të trajtuar pacientët me kancer të përparuar të mushkërive (shumica e rasteve diagnostikohen në këtë fazë4). Në këtë fazë, kanceri tashmë është përhapur në mënyrë metastike në pjesë të tjera të trupit dhe nuk mund të hiqet me anë të trajtimit kirurgjik.

  • Terapitë e targetuara – përparimet në fushën e diagnostikës molekulare kanë bërë të mundur zhvillimin dhe përdorimin e të ashtuquajturave barna të targetuara - barna që lidhen me proteinat specifike të cilat gjenden në qelizat e kancerit dhe shkatërrojnë ose bllokojnë shumimin e tyre të mëtejshëm.

Kanceri i mushkërive mbetet një sfidë e madhe si për mjekët ashtu edhe për hulumtuesit. Është e qartë se ekziston një nevojë e konsiderueshme për opsione më të reja, më efektive dhe më të sigurta të trajtimit. Zhvillimi i imunoterapisë së kancerit, një koncept plotësisht i ri në onkologji, po u jep shpresë pacientëve dhe familjeve të tyre. "Në Roche, ne bëjmë çmos t'i përgjigjen nevojave të pacientëve me kancer të mushkërive," thekson Dr. Sandler.

Referencat.

  1. Ferlay J, et al., GLOBOCAN 2012 v1.0, Cancer Incidence and Mortality Worldwide [document on the Internet]. International Agency for Research on Cancer; 2013 [cited 2016 Nov 21]. Available from: 

  2. Barzi A, Pennell NA. Targeting angiogenesis in non-small cell lung cancer: agents in practice and clinical developmentEurop Journ Clin Med Onc. 2010 [cited 2016 Nov 21];2(1): 31–42.

  3. World Health Organization. World Cancer Report 2008 [document on the internet]. Lyon; 2008; [cited 2016 Nov 21]. Available from:  [Calculation: 960,000 (new cases per year in men) + 390,000 (new cases per year in women) = 1,350,000 (new cases per year) / 1,350,000/100 = 13,500 (1% of cases diagnosed each year) / 13,500 * 20 = 270,000 (new cases per year not linked to smoking)]

  4. National Cancer Institute. SEER Stat Fact Sheets: Lung and Bronchus Cancer [document on the internet]. NCI online; 2016; [cited 2016 Nov 21]. Available from: 

Hoffmann-La Roche Ltd. Basel, Representative Office in Albania, Njesia Bashkiake Nr 5, Rruga Ibrahim Rugova, Sky Tower, 5/3, Tel: +355 4 450 40 32 Fax: +355 4 450 40 45

KontaktNë BotëlinkedinfacebooktwitterinstagramyoutubeRreth neshZgjidhjeInovacionHistoriKarrieraPolitikat e privatësisëDeklarata ligjore