Fazat e kancerit të mushkërive

Vendimi për të zgjedhur terapinë më të mirë për secilin pacient, individualisht, bëhet nga mjeku në bazë të disa faktorëve duke përfshirë llojin e tumorit (SCLC / NSCLC) dhe fazën e sëmundjes.

Faza e sëmundjes përcaktohet sipas kritereve të TNM-së (T- madhësia e tumorit primar, N - përhapja e sëmundjes në nyjet limfatike të afërta (rajonale) dhe M - prania e metastazave të largëta). Në mënyrë që mjeku të klasifikojë me saktësi sëmundjen në një fazë të caktuar, shpesh është e nevojshme të realizohet biopsia e nyjeve limfatike dhe metastazave largëta eventuale.

Sidoqoftë, përpara se të përcaktohet statusi TNM, mjekët duhet të përcaktojnë me saktësi karakteristikat histopatologjike të tumorit.

Ashtu sikurse pacientët, çdo tumor ka tipare të ndryshme ndërsa kursi klinik i sëmundjes është pothuajse gjithmonë i ndryshëm. E ardhmja e mjekësisë qëndron pikërisht në mjekësinë e personalizuar, domethënë, një qasje e individualizuar për secilin pacient dhe sëmundjen e tij, nga diagnostikimi deri në trajtim. Fatkeqësisht, pjesa dërrmuese e spitaleve dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor në botë nuk janë në gjendje të zbatojnë parimet e mjekësisë së personalizuar, kështu që mjekët përdorin klasifikimin e pacientëve dhe kancereve të tyre në nëngrupe / lloje në bazë të të cilëve atyre u sigurojnë kujdesin më të mirë të mundshëm.

Kur flasim për mushkëritë, përveç përcaktimit nëse masa e tumorit është beninje ose malinje, mjekët, bazuar në madhësinë e qelizave të kancerit, përcaktojnë nëse bëhet fjalë për kancer mikrocelular të mushkërive (SCLC) apo kancer jo-mikrocelular të mushkërive (NSCLC). Ky klasifikim është shumë i rëndësishëm sepse mund të japë shumë informacion në lidhje me rrjedhën e sëmundjes dhe prognozën e rezultatit.

NSCLC-ja shfaqet në 85% të rasteve1, ndërsa më së shpeshti paraqitet te burrat e moshës mbi 40 vjeç, dhe te duhanpirësit2. Në krahasim me SCLC-në, rrjedha e sëmundjes është pak më e butë dhe më e ngadaltë, kështu që shanset për diagnostikim të hershëm dhe shërim, megjithëse të vogla, janë dukshëm më të mira.

SCLC shfaqet dukshëm më rrallë (15% të rasteve) por është dukshëm më agresiv se NSCLC-ja. Karakterizohet me rritje të shpejtë dhe përhapje të hershme metastatike në pjesët e largëta të trupit, duke e bërë detektimin dhe trajtimin e hershëm pothuajse të pamundur. Mjekët mund të bëjnë dallimin ndërmjet NSCLC-së dhe SCLC-së vetëm pas një ekzaminimi mikroskopik të një mostre të biopsisë të masës së tumorit.

Nga madhësia e masës së tumorit varet se:

  • a është i mundur trajtimi operativ dhe nëse po, cila është sasia minimale e indit që duhet të largohet?

  • a është e nevojshme të kombinohen metoda të shumta të trajtimi dhe cilat nga ato?

  • cilat janë efektet anësore që mund të presim gjatë trajtimit të këtij kanceri? 

Gjithashtu, vendndodhja e masës tumorale në mushkëri është shumë e rëndësishme, përkatësisht, nëse sëmundja është e kufizuar në një lob të vetëm ose është përhapur në të gjithë mushkëritë.

Përveç madhësisë së tumorit, mjekëve iu intereson të dinë nëse sëmundja është përhapur në nyjet limfatike dhe nëse ka ardhur deri te përhapja e metastazave në pjesë të largëta të trupit. Megjithatë, përzgjedhja e terapisë varet jo vetëm nga karakteristikat e tumorit, por edhe nga mosha e pacientit dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij.

Për këtë arsye, përveç ekzaminimit të kancerit dhe karakteristikave të tij, mjekët gjithashtu ekzaminojnë funksionimin e veshkave, mëlçisë, aftësinë e trupit për të krijuar qeliza të reja të gjakut, koagulimin e gjakut, etj. Ekzaminimet që testojnë funksionimin e zemrës dhe mushkërive janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Duke përcaktuar aftësinë funksionale të mushkërive, mjekët mund të planifikojnë ose ta përjashtojnë operacionin si opsion.

Faza e kancerit mikrocelular të mushkërive përcaktohet sipas kritereve VALG (ang. The Veterans Administration Lung Study Group). Ekzistojnë dy faza:

  • Faza e kufizuar - Kanceri është i kufizuar në njërën mushkëri ose në një hapësirë më të vogël.

  • Faza e përparuar - kanceri është përhapur në mushkërinë e dytë, në nyjet limfatike përreth dhe / ose në organet e largëta.

Kriteret VALG janë të pranishëm për një kohë të gjatë dhe shpesh përdoren nga mjekët edhe në studimet klinike. Megjithatë, në vitet e fundit, me zhvillimin e metodave të trajtimit, është paraqitur nevoja për një përshkrim më të hollësishëm të SCLC-së. Kështu, sipas rekomandimeve të IASLC-së (ang. The International Association of the Study of Lung Cancer) që nga viti 2011 sistemi i klasifikimit TNM aplikohet edhe për SCLC-në.

Në vlerësimin e NSCLC-së, mjekët përdorin kriteret e TNM-së. Klasifikimi TNM për kancerin flet për sa vijon:

T (tumori) - flet për madhësinë dhe përhapjen e masës primare të tumorit.

N (Lat. Nodus, nyjet limfatike) - prania ose mungesa dhe vendndodhja e metastazave të nyjeve limfatike.

M (metastazat) - prania ose mungesa e metastazave të largëta.

Për mjekët, veçanërisht kirurgët onkologjikë, klasifikimi TNM-së ka një rëndësi të madhe sepse i ndihmon ata të vendosin për trajtimin më të mirë të mundshëm për secilin pacient dhe të shmangin procedurat e komplikuara dhe të rrezikshme operative nëse ato nuk i sjellin përfitime pacientit. 

Referenca

  1. Bešlija, S. (2014). Medicinska Internistička Onkologija. 1st ed. Sarajevo: Medicinski fakultet Univerziteta u Sarajevu.

Hoffmann-La Roche Ltd. Basel, Representative Office in Albania, Njesia Bashkiake Nr 5, Rruga Ibrahim Rugova, Sky Tower, 5/3, Tel: +355 4 450 40 32 Fax: +355 4 450 40 45

KontaktNë BotëlinkedinfacebooktwitterinstagramyoutubeRreth neshZgjidhjeInovacionHistoriKarrieraPolitikat e privatësisëDeklarata ligjore